
Prattipati: Ngërçin ta zgjidhin liderët, administrata “Trump” kërkon aleatë të fortë sepse s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend.
Në një intervistë për gazetën Express, ajo tha se administrata “Trump” “kërkon aleatë të fortë”, me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.
Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.
Prattipati tha se “udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se ngërçin politik duhet ta zgjidhin po ata. “Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”.
Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, diplomatja amerikane thotë se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga administrata “Trump”.
Gazeta Express: Kosova po kalon nëpër një situatë të pazakontë. Janë me shumë se 170 ditë nga data e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ende s’e kemi kuvendin e konstituuar e as qeverinë. E keni vëzhguar këtë situatë, i keni takuar partitë politike. Cili është konkluzioni që keni nxjerrë? Kjo situatë nuk mjafton të kualifikohet vetëm si papërgjegjësi apo jo?
Anu Prattipati: Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon. Kjo në fund të fundit është një vendim për përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për ta përmbushur mandatin që populli i Kosovës ua ka dhënë.
Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.