Si trajtohen gratë në Klinikën e Gjinekologjisë?

Si trajtohen gratë në Klinikën e Gjinekologjisë?

Aktuale August 04, 2025 - 19:26

Para 9 muajve ka lindur, por fundi i 2024-ës i ka mbetur në kujtesë e jo për të mirë.

Kah fundi i vitit 2024, B. N, u shtrua në Klinikën e Gjinekologjisë, repartin e paralindjes sepse kishte hyrë në javën e 41-të të shtatzënisë.

Gjatë qëndrimit të saj njëjavor në këtë repart, ajo rrëfeu  për fjalët e rënda që dëgjonin gratë aty nga infermieret e doktoreshat.

Pas një jave qëndrim, B. N hyri në sallën e operacionit për lindje cezariane.

E aty nisi një seri tjetër komplikimesh serioze.

Djalin e lindi, por atë nuk e dëgjoi të qante menjëherë për çka edhe gruaja nisi të shqetësohej.

Por sjellja e mjekës ndaj saj, ajo thotë që qe e tmerrshme.

Pas daljes nga operacioni, e reja që veçse kishte lindur, i shikoi për pak sekonda familjarët e saj, ndonëse atyre nuk ua bëri as ajo, e as doktoresha me dije për komplikimet që kishte pasur në sallën e lindjes.

Këtë grua lehonë dhe një tjetër, bashkë me dy bebet e tyre, i futën në një dhomë pas lindjes, dhomë kjo e cila sipas B. N qe me plot inkubatorë bebesh, ndonëse asnjë foshnje nuk ishte aty.

E aty B. N thotë që nuk u trajtua aspak mirë duke u nisur nga fakti që foshnja e saj u la pa shtrat për rreth 5 orë e madje as nuk e ushqyen e ndërruan si duhej.

Gruaja tha për Kiks Kosovën që ndihma e vetme që i ofrohej ishte ajo nga nëna e saj, e pa të nuk do të ia dilte dot.

Ndonëse thotë që u bë zhurmë goxha e madhe për faktin që e ëma po qëndronte në dhomë me të, e madje edhe infermieret kujdestare thotë që i lëshonin fjalë herë pas here.

Për lehonat, problematike qe edhe fakti që kur duhej të bëheshin kontrollet, infermieret i thërrisnin gratë vetëm nga korridori dhe nëse nuk lajmëroheshe menjëherë, atëherë të ikte rendi.

Pas lindjes së djalit, gruaja thotë që gjatë kohës sa qëndroi në intensivë për 24 orë, nuk ua lejuan telefonat.

E këtë ajo mendon se nuk e bëjnë ngase frikësohen se maltretimet që bëhen ndaj grave mund të dalin në dritë përmes video incizimeve dhe fotove./klankosova