KQZ-ja thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit shënuan përqindjen më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme që nga viti 2007
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit shënuan përqindjen më të ulët të fletëvotimeve të pavlefshme që nga viti 2007

Aktuale August 04, 2025 - 15:07

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u diskutuan çështje kyçe që lidhen me përgatitjet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se në raportin informues u theksua se aktualisht është në zhvillim periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës.

“Që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 4 gusht 2025 janë pranuar 1.500 kërkesa, prej të cilave 1.409 janë aprovuar, ndërkaq 91 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkëngjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues”.

Po ashtu, siç thuhet në njoftim, anëtarët u informuan lidhur me periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovë votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025.

“Sipas të dhënave, deri më sot (e hënë, 4 gusht, ora 08:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 1,971 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,402, ndërkaq 569 aplikime janë refuzuar për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e banimit apo adresa e deklaruar nuk është e njëjtë me adresën në dokumentin që e dëshmon atë”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se anëtarët u informuan edhe për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, e cila ka fillua më 26 qershor dhe do të përmbyllet më 13 gusht 2025.

“Deri me datën 4 gusht 2025, aplikimin për certifikim e kanë filluar 54 subjekte, prej të cilave 19 parti politike; 19 iniciativa qytetare dhe 16 kandidatë të pavarur. Fillimi i aplikimit nënkupton krijimin e userëve nga Zyra për Regjistrim, Cetifikim dhe Kontrollin Financiar për t’u qasur në platformën elektronike të KQZ-së dhe për të paraqitur aplikimin për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve të tyre”.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ shqyrtoi dhe miratoi dokumentin që analizon votat e pavlefshme në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025. Sipas këtij dokumenti, nga numri i përgjithshëm i votuesve (966,283) që votuan në vendvotimet e rregullta, vendvotimet me kusht dhe në votimin jashtë Kosovës, 2.83 për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme apo të zbrazëta. Nëse të dhënat e vitit 2025 krahasohen me të gjitha proceset zgjedhore të kaluara (2007, 2010. 2014, 2017, 2019 dhe 2021) në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të hapura, pra ku votuesit kanë zgjedhur subjektin politik dhe kandidatët për deputetë, atëherë në zgjedhjet e 9 shkurtit është regjistruar numri dhe përqinjda më e ulët e fletëvotimeve të kësaj natyre. Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në vitin 2001 dhe 2004, ishte aplikuar sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, ku votuesit mund të votonin vetëm për subjektin politik.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori edhe këto vendime:

Vendim për zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut;

Vendim për miratimin e raportit financiar të KQZ-së për periudhën janar – qershor 2025;

Vendim për miratimin e raportit të shpenzimeve të derivateve për automjetet e KQZ-së për periudhën janar – qershor 2025;

Vendim për zëvendësimin e një anëtari të Kuvendit Komunal në Dragash;

Vendim për miratimin e listës së kandidatëve potencial për anëtarë të komisionit të pranimit për pozitat e nivelit profesional në kuadër të Departament të Teknologjisë Informative Zgjedhore dhe Shërbim të Votuesve.

Image