
Ambasada e Kosovës në Shkup dënon fuqishëm thirrjet antishqiptare
Ambasada e Kosovës në Shkup, ka reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare gjatë ndeshjes basketbollistike e cila u zhvillua të shtunën në Kumanovë, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Në reagim thuhet se kjo ambasadë, i ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në një ndeshje basketbolli në Kumanovë.
“Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje”, thuhet në reagim.
Tutje në këtë reagim, vlerësohet reagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe qëndrimi i fuqishëm i faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje.
“Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.