
Vdes veterani i UÇK-së, Hysni Ferizi
Ka vdekur veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Ferizi.
Për vdekjen e Ferizit ka shkruar i pari i Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili thotë se Hysniu një jetë të tërë i shërbeu atdheut, një jetë për kauzën e shenjtë të lirisë së Kosovës.
“Njoftim për ndarje nga jeta dhe kujtim përjetë për nipin tonë, veteranin e UÇK-së, Hysni Ferizi. Sot, me dhembje të thellë dhe zemër të thyer, do t’i japim lamtumirën e fundit një njeriu të rrallë – nipit tonë të dashur, Hysni Ferizi – një jetë të tërë në shërbim të atdheut, një jetë për kauzën e shenjtë të lirisë së Kosovës”.
“Hysniu ishte më shumë se nip. Ai ishte krahu im i djathtë në çdo protestë, në çdo demonstratë për liri, në ditët më të vështira kur Kosova kishte nevojë për guximtarë. Ishte zëri i drejtësisë, fytyra e përkushtimit, dhe flamuri i idealit kombëtar. Ky rrugëtim përfundoi aty ku nisën ëndrrat tona për liri – në luftë, përkrah Fehmiut dhe Xhevës, në vijën e parë të UÇK-së, si ushtar i paepur, besnik dhe krenar. Sakrifica e tij nuk do të harrohet kurrë”.
“Por jeta e Hysniut nuk përfundoi me luftën. Ai jetoi me të njëjtin pasion, me të njëjtin ideal. I përkushtuar komunitetit, familjes dhe klubit të zemrës – Feronikelit. Një tifoz i rrallë, që nuk u nda nga tribuna as në fitore e as në humbje, as në ngritje e as në rënie. Ishte zëri, zemra dhe dashuria e pandalshme për qytetin tonë dhe për skuadrën që e deshi deri në fund. Sikur edhe vetë fati të kishte shkruar një rrëfim të thellë shpirtëror, vdekja e gjeti Hysniun në të njëjtën datë dhe në të njëjtin muaj, 8 vite më pas, kur u nda nga jeta babai im, baba Tush, daja i tij i madh. Një ndërlidhje e dhimbshme dhe e paharruar mes brezave, një amanet dhe rrëfim që jeton në zemrat tona”, shkroi Lladrovci.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot, në orën 17:00, në varrezat e fshatit të tij të lindjes.