
Vështirësi furnizimi me ujë të pijshëm në ditët me mbi 35 gradë, problem edhe lidhjet ilegale
Furnizimi me ujë të pijshëm në Prishtinë me rrethinë po vështirësohet në ditët me temperatura mbi 35 gradë Celsius, për shkak të konsumit dhe keqpërdorimit të madh të ujit në pika të ulëta.
Këtë gjendje e pranojnë edhe në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, bëri të ditur se sapo bien temperaturat nën 30 gradë Celsius, menjëherë stabilizohet furnizimi me ujë të pijshëm.
“Ne jemi duke trajtuar ujë për pije nga të tria impiantet: Albanik, Shkabaj dhe Badoc me kapacitete maksimale trajtuese dhe uji po shpërndahet në mënyrë të barabartë te secili konsumator, përveçse kur kemi temperatura mbi 35 gradë Celsius për shkak të konsumit dhe keqpërdorimit të madh të ujit që bëhet në pika të ulëta. Në disa pika nuk po arrin uji. Menjëherë si të bien temperaturat nën 30 gradë, menjëherë stabilizohet furnizimi me ujë të pijshëm. Ndërsa, ne nuk jemi duke aplikuar ndonjë reduktim në kryeqytet me rrethinë. Tani për tani furnizimi është stabil, përveç rasteve kur kemi punime teknike në zonën e shërbimit, kur ka rrjedhje të ujit, kur ka defekte në sistemin primar, sekondar dhe terciar”, tha Mjeku.
Ajo rikujton se në vitet e ’60 liqeni i Badocit kishte furnizuar me ujë të pijshëm 39 mijë banorë, ndërsa sot furnizon dhjetëfish më shumë banorë.
“Ndalja e ujit ka qenë shkak i temperaturave të larta, sepse ne kemi pasur ujë të mjaftueshëm dhe e kemi shpërndarë në mënyrë të barabartë, por nuk ka arritur në pikat e larta, sepse në vitet ’60 liqeni i Badocit kishte furnizuar me ujë të pijshëm 39 mijë banorë, ndërsa sot po i njëjti liqe furnizon me ujë të pijshëm dhjetëfishin e këtij numri. Andaj, duhet që konsumatorët të vetëdijesohen që uji të mos keqpërdoret, të përdoret për nevoja shtëpiake dhe jo për destinime të paarsyeshme”, tha Mjeku.
Ajo vë në dukje se problem më vete janë edhe lidhjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
“Vetëm për një muaj ne i kemi zënë në flagrancë duke vjedhur ujin, pra lidhje jashtë ujëmatësit, lidhje ilegale që është vepër penale. Vetëm për një muaj inspektorët kanë zbuluar mbi 250 lidhje ilegale dhe lëndët e tyre do të dërgohen në gjykatat kompetente”.
Zëdhënësja e ujësjellësit “Prishtina” u bën thirrje qytetarëve të përdorin ujin me kujdes dhe të shmangin abuzimet, pasi sistemi është i mbingarkuar për shkak të rritjes së numrit të banorëve dhe konsumit jashtë normave.
“Lidhjet ilegale më së shumti e rëndojnë furnizimin me ujë të pijshëm. Kemi kemi hasur një konsumator që ka pasur një lidhje legale dhe tri të tjera ilegale dhe normalisht ai konsum është jashtë ujëmatësit dhe për këtë arsye konsumi është rritur dhe uji nuk ka arritur në pikat e larta”, tha Mjeku për Ekonominë Online.