Mungesa e barnave esenciale rëndon trajtimin e pacientëve në QKUK
Foto: Zëri / Ilustrim

Mungesa e barnave esenciale rëndon trajtimin e pacientëve në QKUK

Aktuale August 03, 2025 - 14:10

Përveç hallit që kanë me sëmundjet pacientët në klinika të ndryshme të qendrës kryesore spitalore të vendit po përballen edhe me mungesë barnash. Shumica e barnave që qytetarët detyrohen të blejnë i përkasin listës esenciale të barnave.

Në pothuajse shumicën e klinikave publike në Prishtinë aktualisht ka mungesë të disa prej barnave të listës esenciale, përderisa pacientët e intervistuar nga Radio Kosova tregojnë për vështirësitë për të siguruar terapitë e nevojshme.

N.V një prind, në hyrje të Klinikës së Pediatrisë, tregon dy qese me barna që sapo i ka blerë dhe shumica prej tyre janë glukozë 5 për qind dhe antibiotikë.

“Duhet t’i i blejë vet. Veç na i shkruajnë në letër e ne duhet t’i blejmë”, thotë ky person që pranoi të citohet vetëm me iniciale.

Një tjetër nënë gjithashtu në Klinikën e Pediatrisë, që foli në kushte anonimiteti tregoi se shumicën e barnave është dashur t’i sigurojë vetë.

“Me inhalim temin jam duke e trajtuar djalin edhe një infuzion e kam ble. Krejt terapinë e kam blerë vet,” thotë ajo.

Në klinikën e Kardiologjisë një grua gjithashtu tregon të njëjtin problem.

“Vajzën e kam të shtrirë prej 3 ditësh dhe shumicën e terapisë e kemi blerë vet”, thotë ajo.

Një grua e shtrirë në Klinikën Obstetrike e Gjinekologjike gjithashtu tregoi se ka blerë shumë nga ilaçet që i duheshin.

“Përveç kanillave dhe ujit te distiluar, tjerat i kam blerë vetë”, thotë ajo.

Përgjegjësit e klinikave nuk kanë folur për çështjen e barnave, por mjekët nëpër reparte kanë konfirmuar gjithashtu mungesë të theksuar të barnave dhe pajisjeve të tjera shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka komentuar situatën e barnave në qendrën kryesore spitalore të vendit, duke thënë në një përgjigje me shkrim se kjo është kompetencë e Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar.

Në përgjigje për Radio Kosovën, Shërbimi Spitalor Universitar ka përmendur se në shumicën e klinikave ka furnizim ndërsa për disa të tjera “janë në procedurë prokurimi”.

Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, thotë se bazuar në një analizë të bërë vitin e kaluar rezulton se shumica e barnave në spitalet publike blihen nga pacientët.

“Në tërë Kosovën ka telashe me furnizim të barnave. Ne studimin që kemi bërë me rreth 2 mijë persona ka rezultuar se rreth 70% prej tyre i kanë blerë vetë barnat”, thotë Kodra .

Në barnatoret afër perimetrit të qendrës kryesore spitalore të vendit farmacistë tregojnë gjithashtu për kërkesat për barnat e munguara të listës esenciale.

“Mungesa ka sidomos të glukozës kemi pas shumë kërkesa nga pacientet. Nuk ka pas as ne barnatoret qendrore publike as ne privat”, thotë ajo.

Kreu i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, thotë se mungesa e barnave vjen nga vendimet dhe procedurat e parregullta të blerjes.

“Kemi ardhur në një situatë ku ka mungesë të barnave. Por edhe aty ku ata vete e furnizojnë Ministria e Shëndetësisë ka mungesa”, thotë Bytyqi.

Buxheti për barnat e listës esenciale ishte më i lartë këtë vit, megjithatë vonesat në procedurat e prokurimit dhe hyrja enë fuqi e Ligjit të për Çmimet e Barnave kanë qenë disa nga shkaktarët më të mëdhenj të çrregullimit të furnizimit me barna në spitalet publike.