
Kurti takohet me Bekerin, në fokus, bashkëpunimi në mbrojtje me SHBA-në
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker.
Takimi u mbajt gjatë një darke pune të organizuar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe u shoqërua edhe nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas një komunikate nga Qeveria, thuhet se në fokus të diskutimeve ishin marrëdhëniet bilaterale Kosovë–SHBA dhe bashkëpunimi strategjik në fushën e mbrojtjes.
“Kurti informoi zyrtarin e lartë amerikan për progresin e arritur në vend, sidomos në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar investimet e realizuara gjatë mandatit qeverisës. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për rritje të shkëmbimeve tregtare dhe tërheqjen e më shumë investimeve amerikane në vend”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu Kurti falenderoi Bakerin dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen jetike të dhënë për Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës ndër vite, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.
“Ai riafirmoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të thelluar më tej partneritetin me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”.
Në këtë darkë pune morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti./Zëri
