
Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milionë euro
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka njoftuar se janë aprovuar aplikimet e Kosovës në programin e BE-së të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), dhe se vendi përfiton mbi 2 milionë euro.
Bislimi në një postim në Facebook, ka shkruar se vitin e kaluar kanë aplikuar, përkundër faktit se vendi ishte nën masa të padrejta të BE-së, transmeton Telegrafi.
“Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit. Këto aplikime morën opinion pozitiv fillimisht nga komisioni i vlerësimit, ndërsa tash u zyrtarizua dhe aprovimi final i tyre. Shuma e granteve të asistencës teknike në këto projekte arrin totalin prej mbi 2 milionë euro: për projektet e energjisë vlera është mbi 800 mijë euro, ndërsa në ato të digjitalizimit mbi 1 milion e 200 mijë euro”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, ai ka pohuar se “Të gjithë ata që shkruanin e flisnin për humbje të parikuperueshme e kinse humbje të miliona eurove nga fonde të Bashkimit Evropian për shkak të masave vazhdojnë e demantohen”.