
Klinaku pas ngritjes së aktakuzës për kërcënim ndaj Kurtit: Mezi po pres të ballafaqohemi në gjykatë
Ish-drejtuesi i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Klinaku tha se nuk është njoftuar nga askush për aktakuzën, përveç lajmit në media, ndërsa shtoi se mezi pret të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë, transmeton Zeri.info.
“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka shkruar Klinaku.
Ndryshe, sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K. [Faton Klinaku], me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar, tani të dëmtuarin A.K. [Albin Kurti], në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese. /Zëri