
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Konflikti Serbi – Kosovë, në mesin e të gjashtëve që i ndali Trumpi gjatë këtij viti
Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një konferencë të mbajtur për media ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për gjashtë muaj që është në Zyrën Ovale ka ndalur mesatarisht nga një konflikt në secilin muaj të punës së tij si president gjatë këtij mandati të dytë në Shtëpi të Bardhë.
Leavitti kur ka numëruar konfliktet që ka ndalur presidenti amerikan, Donald Trump, ka përmendur edhe Serbinë dhe Kosovën, gjë për të cilën presidenti Trump ka folur shpesh kohëve të fundit.
Sekretarja Leavitt ka theksuar se për 6 muaj që Trumpi është në detyrë ka ndërmjetësuar rreth një marrëveshjeje paqeje ose armëpushim në secilin prej tyre.
“Presidenti tani i ka dhënë fund konflikteve midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit në Etiopi. Kjo do të thotë që presidenti Trump ka ndërmjetësuar mesatarisht rreth një marrëveshje paqeje ose armëpushim në muaj gjatë gjashtë muajve të tij në detyrë”, ka thënë Leavitti në konferencën për media.
Trumpi në disa konferenca për media ka folur për një rrezik që Serbia ta sulmonte Kosovën dhe kishte treguar se e kishte ndalur një gjë të tillë duke kërcënuar Serbinë me ndalje të tregtisë me SHBA-në nëse do të ndodhte një gjë te tillë. /Express