Sindikata i gëzohet vendimit të Apelit për pesë policët në rastin e Agon Zejnullahut

Sindikata i gëzohet vendimit të Apelit për pesë policët në rastin e Agon Zejnullahut

Aktuale July 31, 2025 - 19:14

Sindikata e Policisë së Kosovës ka përshëndetur vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për rastin e të riut në Lipjan.

Ky vendim, i marrë nga një instancë më e lartë gjyqësore, sipas Sindikatës, përbën një hap pozitiv drejt respektimit të parimeve themelore të drejtësisë, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Sindikata e Policisë thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, por njëkohësisht kujton se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, veçanërisht gjatë procesit hetimor, ku ende nuk është vërtetuar përgjegjësia penale”, ka thënë Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kjo Sindikatë shprehu besimin e saj të plotë në sistemin e drejtësisë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë procesin gjyqësor në vijim, pa paragjykime dhe me kujdes ndaj ndjeshmërisë së rastit.

Gjykata e Apelit mori vendim që të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, dhe t’iu ndërpritet masa e paraburgimit pesë policëve në rastin e Lipjanit.

Pesë policët u arrestuan më 7 korrik pasi dyshohen për “vrasje nga pakujdesia” të 27-vjeçarit në Lipjan, Agon Zejnullahut.