Këto janë masat e Policisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”
Foto: Laura Hasani /Arkiv

Këto janë masat e Policisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”

Aktuale July 31, 2025 - 17:17

 

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë disa masa të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”.

Sipas njoftimit, janë angazhuar më shumë zyrtarë policorë në zonën ku do të mbahet festivali,raporton Zeri.info.

Policia zotohet se me gjithë infrastrukturën e saj do të monitorojë rrjedhen e kësaj ngjarjeje.

Bëhet e ditur se zngazhimet policore do të shtrihen në disa nivele, përfshirë:

- Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;

- Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;

- Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës ku do të zhvillohet festivali;

- Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;

- Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;

- Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;

- Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;

- Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit;

- Koordinimin me organizatorët dhe institucionet e tjera për të siguruar reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo situate të papritur.

“Për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që qojnë për në zonën ku mbahet festivali si dhe ri-drejtim të trafikut rrugor, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik”, thuhet ndër tjera. /Zëri