Dëmet e shkaktuara nga zjarret, Qeveria e Shqipërisë me paketë mbështetëse

Dëmet e shkaktuara nga zjarret, Qeveria e Shqipërisë me paketë mbështetëse

Aktuale July 31, 2025 - 17:05

Qeveria e Shqipërisë do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarri në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera.

Problematikat më të mëdha nga zjarret janë në jug të Shqipërisë, veçanërisht në Delvinë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi se njerëzit janë shkaktarët kryesor të vendosjes së zjarreve.

“120 persona janë proceduar si të dyshuar për zjarrvënie. Janë arrestuar 21 persona”, tha ministri Hoxha.

Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile kanë përgatitur një plan masash për rritjen e gatishmërisë për muajin gusht.

Nga zjarret, më e prekur është qarku i Vlorës me 17 mijë e 500 hektarë të djegura, ndjekur nga Dibra, Tirana dhe më pas Berati.

Si pasojë e zjarreve gjatë muajit korrik janë djegur 29 mijë hektarë sipërfaqe, janë prekur 12 banesa, 3 stane, 1 objekt kulti dhe 1 nënstacion energjie./Euronews.al