Partitë edhe dy javë kohë për certifikim, listat do të verifikohen
Foto: Laura Hasani

Partitë edhe dy javë kohë për certifikim, listat do të verifikohen

Aktuale July 31, 2025 - 12:43

Edhe dy javë kohë u kanë mbetur subjekteve politike të aplikojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Deri më 13 gusht, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

Këtë e ka thënë për RTKLive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sipas të cilit subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje dhe nëse duan të garojnë vetëm në zgjedhje për kryetar komune ose për Kuvend Komunal, apo për të dyja njëkohësisht.

“Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse është: funksionar publik me status të veçantë, në bazë të ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-it; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat. Po ashtu, i njëjti nen, parasheh që një person nuk ka të drejtë kandidimi në zgjedhje, nëse: është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Përveç kushteve që kërkohet të plotësohen në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 9, paragrafin 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale kërkohet që kandidati për Kryetar të Komunës të ketë qenë për së paku 3 vjet banor i komunës në të cilin ai/ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si kryetar i Komunës”, ka thënë tutje zëdhënësi i KQZ-së.

Ai ka treguar se për të gjithë kandidatët që do të përfshihen në listat zgjedhore të partive politike, para certifikimit do të bëhet verifikimi i tyre.

“Në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të ligjit për zgjedhje të përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGJK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.