Punëtorëve të RTK-së s’u dalin pagat, Sindikata: Situatë e rëndë, shkak neglizhenca institucionale
Foto: Laura Hasani

Punëtorëve të RTK-së s’u dalin pagat, Sindikata: Situatë e rëndë, shkak neglizhenca institucionale

Aktuale July 31, 2025 - 12:41

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së është shprehur e shqetësuar pasi mbi 700 punëtorëve të mediumit publik s’u kanë dalë rrogat. Sindikata ka vlerësuar se kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për ta.

Sindikata ka deklaruar se nuk mund të pranojnë që punëtorët e RTK-së të mbeten pa të ardhura ‘‘për shkak të neglizhencës institucionale’’.

“Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për situatën dhe për të garantuar pagat e punëtorëve tanë”, thuhet mes të tjerash në reagim.

Sindikata ka thënë edhe se protesta për datën 6 gusht është e pashmangshme dhe se u ka bërë thirrje kolegëve që të jenë të pranishëm.

Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh shqetësimin e thellë që edhe sot, më 31 korrik, kur përfundon muaji, mediumi publik i vendit mbetet pa financim, duke lënë pa paga mbi 700 punëtorë dhe familjet e tyre.

Kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për Sindikatën. Ne nuk mund të pranojmë që punëtorët e RTK-së, të cilët çdo ditë mbajnë të informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të mbeten pa të ardhura për shkak të neglizhencës institucionale.

Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për situatën dhe për të garantuar pagat e punëtorëve tanë.

Protesta e paralajmëruar për datën 6 gusht mbetet e pashmangshme. Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të jenë të pranishëm dhe të bashkuar në këtë protestë.

Për detajet e protestës së 6 gushtit, të cilën e kemi bërë publike edhe përmes konferencës për media disa ditë më parë, shumë shpejt do t’i bëjmë publike edhe pikat e veprimit dhe detajet organizative.