
Haxhiu: Pranimi i dokumenteve serbe nga Gjykata Speciale përbën deformim të rëndë të drejtësisë
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar për lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, duke përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.
Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur të papranueshëm këtë zhvillim, duke theksuar se pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.
“Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Po ashtu Haxhiu ka thënë se tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre, përveç të tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë.
“Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë. Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin.
“Slobodan Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme”, ka shkruar Haxhiu.