
IPK: Policia në disa raste po i “fal” qytetarët që tejkalojnë shpejtësinë
Policia e Kosovës pothuajse çdo ditë shqipton rreth 2 mijë gjoba, e një pjesë e tyre janë për tejkalim të shpejtësisë.
Megjithatë, me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv, Kushtrim Hodaj, Inspektorati Policor i Kosovës ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm për të vlerësuar praktikat e përdorimit të pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve në rrugë.
E, ky inspektim nxori në pah disa probleme. Sipas raportit, përkundër që policia ka pajisje të sakta, në disa raste, kundërvajtësve në disa raste nuk u shkruhen saktë shkeljet që kryejnë.
“Lidhur me performancën e njësive të trafikut në ngritjen e sigurisë rrugore, janë hasur dobësi në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet, që sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës, të cilat mund të eliminohen me kontrolle të shtuara menaxheriale”, thuhet nga IPK.
IPK-ja vlerëson gjithashtu, që zyrtarët policorë kanë nevojë për disa trajnime në përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së veturave.
“Inspektimi vë në pah dobësi në vendosjen e të dhënave në radar para matjeve nga zyrtarët policorë të ekipeve patrulluese, si dhe praktika të ndryshme të shkarkimit dhe ruajtjes së regjistrimeve të matjeve, të cilat mund të eliminohen me trajnime shtesë apo procedura të shkruara të operimit”.
Por, zyrtarët policorë që dinë t’i përdorin, në disa raste edhe e neglizhojnë përdorimin e tyre.
“Me gjithë punën që bëhet, pasqyrohet në pamje të përgjithshme sikur nuk shfrytëzohen efektivisht mundësitë që ofrojnë pajisjet e avancuara, me të cilat janë pajisur njësitë policore, duke bërë që shumë kundërvajtje të mos trajtohen dhe të mos marrin goditjen e duhur përmes forcës së ligjit”.
Megjithatë, sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, “zbutja” e gjobave nga ana e zyrtarëve policorë mund të ketë ndikim pozitiv tek kundërvajtësit.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme që të bëhet sinkronizimi në gjobë edhe matjes së shpejtësisë së kufizuar, por meqenëse Policia e Trafikut nuk merret me edukimin e drejtuesve të automjeteve, këtë unë e shoh si masë edukative nëse gjobat nuk përcaktohen në bazë të shpejtësisë së matjes”, ka theksuar Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.
Dedaj thotë se në Kosovë duhet të rishikohen edhe njëherë gjobat për kundërvajtjet në trafik.
Inspektorati, në fund të raportit, jep edhe 7 rekomandime, duke i rekomanduar Udhëheqësit të Divizionit të Trafikut Rrugor që të ndërmarrë veprime në drejtim të nxjerrjes së një udhëzuesi lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes, përfshirë dhe ruajtjen e regjistrimeve.
Në të kundërtën, mbajtja e një trajnimi shtesë vlerësohet i duhur për të pajisur personelin me njohuri të mjaftueshme./dukagjini