Çfarë prova pranoi Gjykata Speciale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së?

Çfarë prova pranoi Gjykata Speciale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së?

Aktuale July 30, 2025 - 19:33

15 shtatori është data kur mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së do të fillojë paraqitjen e saj të çështjes.

Lëvizja e datave nga muaji gusht për në muajin shtator, është kohë shtesë e dhënë nga trupi gjykues për ekipet mbrojtëse, në mënyrë që ato të përgatiten për gjykim.

Gjatë kësaj periudhe, trupi gjykues i bëri thirrje mbrojtjes që të paraqesin listat e provave të cilat do t’i paraqesin në gjyq.

Pavarësisht kësaj, koha shtesë e dhënë Specialja, përsëri po vlerësohet si kohë e pamjaftueshme, në krahasim me kohën e dhënë për Prokurorinë.

“Kjo nënkupton që gradualisht po futemi drejt fazës finale të përfundimit të këtij procesi të stërzgjatur, me jo pak shkelje. Fakti që trupi gjykues ka caktuar një kohë relativisht të shkurtër palës mbrojtëse për t’u përgatitur, e vë në pikëpyetje dhe e cënon njërin prej parimeve bazë të trajtimit të barabartë të palëve në procedurë”, ka thënë Bajraktari.

Ky nuk është vendimi i vetëm që është marrë nga gjyqtarët.

Trupi Gjykues ka aprovuar prova të reja, të cilat ndërlidhen me pretendimet e prokurorisë për krime lufte ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Burimi i këtyre dhjetëra provave të pranuara, janë nga autoritetet serbe.

“Prova e Propozuar 39 është e datuar dhe mban një titull “Departamenti i Sigurisë Shtetërore”. Duke iu referuar dokumenteve të Ndryshme Serbe, Paneli vëren se Provat e Propozuara 21, 25, 32 dhe 64 janë të datuara, mbajnë një numër reference dhe një mbishkrim nga Ministria e Brendshme Serbe, dhe identifikojnë autoritetet përkatëse lëshuese. Për këto arsye, Paneli është i kënaqur që Raportet Serbe janë prima facie autentike”, thuhet nga Specialja.

Sipas trupit gjykues, raportet serbe të paraqitura si provë, janë të vulosura, kanë numër protokolli e janë të klasifikuara, duke identifikuar autoritetin lëshues të tyre.

“Lidhur me Provën e Propozuar 15, Paneli vëren se përmbajnë faqet e kopertinës së një regjistri operacionesh/lufte; përmbajnë dy lista që japin emrat e oficerëve të ushtrisë dhe shenjat e kodit të përdorura për raportet. Lidhur me Provën e Propozuar 47, Paneli vëren se: përmbajnë shënime në fletore me shënime mbi takimet e Komandës së Përbashkët të Kosovës dhe Metohisë, të cilat përfshijnë datat e takimeve përkatëse, si dhe emrat e disa prej pjesëmarrësve në këto takime”, thuhet tutje.

Përpos këtyre, si prova materiale u pranuan edhe disa artikuj e video intervista të të akuzuarve në media, që sipas Gjykatës Speciale dëshmojnë strukturën dhe funksionimin e UÇK-së.

Gjitha këto prova ishin kundërshtuar nga mbrojtja, por që kundërshtimet e tyre sipas trupit gjykues ishin të pabazuara./teve1