Detaje të reja për zjarrin: Pronari dyshon se rryma mund të jetë shkak, dëmet rreth 250 mijë euro

Detaje të reja për zjarrin: Pronari dyshon se rryma mund të jetë shkak, dëmet rreth 250 mijë euro

Aktuale July 30, 2025 - 17:42

Një zjarr ka shpërthyer pasditen e sotme në kompaninë “Izolimi”, që gjendet afër “Rrethit të Ismetit”, në rrugën Prishtinë–Mitrovicë.

Zjarri u raportua rreth orës 14:25, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Shefi i ndërrimit në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, Shpend Rrustemi, konfirmoi për mediat se ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe situata është vënë nën kontroll.

Sipas tij, disa zjarrfikës kanë marrë ndihmën e parë për shkak të ekspozimit ndaj tymit.

“Thirrja në Urgjencë është bërë rreth orës 14:25. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes. Nuk ka të lënduar, por disa zjarrfikësve u është dhënë ndihma e parë për shkak të tymit dhe ekspozimit ndaj dioksidit të karbonit. U është dhënë oksigjen, parametrat jetësorë ishin në rregull dhe ata janë rikthyer në detyrë. Situata është nën kontroll falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve,” tha Rrustemi.

Edhe Komandanti i stacionit policor Veri, Faton Shala, konfirmoi se të gjitha veprimet e para janë ndërmarrë, përfshirë evakuimin e personave që ndodheshin pranë objektit.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.

“Rreth orës dy, dy e dhjetë, kemi marrë informacionin për zjarrin te kompania ‘Izolimi’. Është bërë menjëherë evakuimi i të pranishmëve. Nuk e dimë ende shkaktarin e zjarrit. Janë ndërmarrë masa për sigurinë në vendin e ngjarjes dhe mbrojtjen e bombolave të gazit. Hetimet do të vazhdojnë,” tha Shala.

Zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë shpejt zjarrin, duke shmangur përhapjen dhe rrezikun për ndërtesat përreth. Hetimet për shkaqet e zjarrit do të vazhdojnë në ditët në vijim.