Drenori: Përjashtimi i Lladrovcit tregon fuqinë reale brenda PDK-së

Drenori: Përjashtimi i Lladrovcit tregon fuqinë reale brenda PDK-së

Aktuale July 29, 2025 - 22:30

Analisti Xhavit Drenori, i ftuar në emisionin RTK Prime, ka komentuar vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e përfshirë kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale. Ai e ka quajtur veprimin të çuditshëm dhe domethënës për gjendjen e brendshme në parti.

Drenori tha se për të është e çuditshme se si në Këshillin Qendror të partisë u vendos me 26 vota kundër dhe vetëm 4 pro.

"Është për mua diçka shumë e çuditshme, sepse deri në fazën e zgjedhjeve PDK në qendër e kanë lavdëruar z. Lladrovci me fjalorin më të mirë të mundshëm, madje duke iu gëzuar secilit titull për performancë si komuna më transparente", tha ai.

Sipas tij, kjo situatë “e ka shpërfaqur edhe njëherë gjendjen që është brenda PDK-së dhe fuqinë politike reale, se kush e ka atje.”

"Lufta politike tashmë dihet. Fuqia politike është matur mes z.Lushtaku dhe z.Lladrovci atje, dhe kjo besoj se do t’i bëjë kogja dëm PDK-së në zgjedhjet nacionale", potencoi Drenori.

Mes tjerash, ai theksoi se ombrella e partisë nuk është domosdoshmërisht garancë për një qeverisje të mirë.

"PDK-ja  si llogo, pra si subjekt politik atje keqpërdoret për me fitu vota, dhe keqpërdoret për me u mbrojtë kur nuk qeverisin mire", deklaroi Xhavit Drenori./rtk