Analistët: Kushtetuesja do ta precizojë rrugën që do ndiqet nga Kuvendi
Foto: Laura Hasani

Analistët: Kushtetuesja do ta precizojë rrugën që do ndiqet nga Kuvendi

Aktuale July 29, 2025 - 21:17

Deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka pezulluar të gjitha veprimet e deputetëve të Legjislaturës së nëntë, përfshirë edhe mbledhjen e tyre në sallën e seancave plenare, çdo 48 orë.

Por pas kësaj date një interpretim i ri që pritet të dalë nga po kjo gjykatë, do të jetë përcaktues për të ardhmen e skenës politike në vend.

Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se vetëm një aktgjykim i qartë, i saktë dhe pa mëdyshje nga Gjykata Kushtetuese mund ta zhbllokojë situatën aktuale.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë apsoluti që do të mund ta lëvizë gjithë skenën politike, pra nuk ka ndonjë mundësi tjetër për të ndikuar tek partitë politike, te liderët. Dhe vetëm Gjykata Kushtetuese me një vendim të qartë të saktë, preciz do të mund ta zhbllokojë këtë situatë dhe ta japë një udhë të re për të gjithë edhe për spektrin politik por edhe për sistemin institucional në përgjithësi”, tha Muhaxhiri për RTK.

Edhe politologu Dorajet Imeri e sheh Gjykatën Kushtetuese si instancën e vetme që mund t'i përcaktojë hapat e duhur. Ai kujton se vendimi i Gjykatës është i detyrueshëm dhe çdo veprim i partive pas afatit 30-ditor është në kundërshtim me kushtetutën.

“Do të jetë pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që do të precizojë se cila do të duhet të jetë rruga që do të duhet të ndiqet nga Kuvendi i Kosovës drejt konstituimit të tij”, tha Imeri.

Por kriza politike nuk pritet të mbetet vetëm në nivel qendror. Pasojat e saj tashmë po projektohen edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen së shpejti.

Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se agresiviteti dhe tensionet nga skena qendrore do të shtrihen edhe në komunat e vendit.

“Fokusi i partive politike nga qendra do të jetë më i pakët drejt kandidaturave nëpër qytetet e Kosovës pasi do të jenë të fokusuar më të fokusuar në zhvillimet e përgjithshme sesa në ndihmesën e kandidatëve përkatës, prandaj edhe ata do të jenë në mungesën e fatit sepse edhe resurset politike dhe financiare do të jenë më të vogla se sa herën e kaluar”, tha Muhaxhiri.

“Nga viti zgjedhor për nivelin qendror do të hyjmë gradualisht në vit zgjedhor për pushtetin lokal. Në ndërkohë do të vazhdojëme gjasë të ketë një polarizim të skajshëm të partive politike. Kjo nuk është aspak e dobishme për skenën demokratike të vendit dhe natyrisht partitë politike duhet që të reflektojnë për situatën e krijuar", tha politologu Dorajet Imeri.

Tashmë mbetet që Gjykata Kushtetuese ta japë fjalën e saj. Ndërsa, sipas tyre, pavarësisht vendimit, një gjë është e qartë: kriza në Kuvend po rrezikon të zgjerohet edhe në komunat e vendit, duke rrezikuar frymën demokratike dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.