Ish-komandati Rama thotë se FSK-ja ka operuar më herët në veri, përfshirë edhe Ujmanin

Ish-komandati Rama thotë se FSK-ja ka operuar më herët në veri, përfshirë edhe Ujmanin

Aktuale July 29, 2025 - 18:13

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka komentuar pretendimet të Lëvizjes Vetëvendosje se ndërhyrja e fundit e FSK-së në liqenin e Ujmanit ishte hera e parë që kjo forcë operon në pjesën veriore të vendit që nga viti 2018.“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, thuhet në një komunikatë Vetëvendosjes.

Rama tha se FSK ka zhvilluar misione edhe më herët në veri, përfshirë operacione specifike në vitet 2014, 2016 dhe 2019.

“E kam thënë që nuk është hera e parë që FSK-ja ka operuar në pjesë veriore. Në 2014, 2016 dhe 2019 kemi pas intervenime. Pikërisht në korrik të 2014 kemi pas intervenim në liqenin e Ujmanit. Për tri ditë radhazi kemi operuar bashkërisht me KFOR-in”…, ka thënë Rama.

Ai theksoi se ndërhyrja e FSK-së në raste të tilla ndodh vetëm kur kërkohet ndihmë nga institucionet përkatëse si Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), e cila është reaguesja e parë, e më pas përfshihet FSK-ja.

“Fillimisht reaguesi i parë është Policia, në këtë rast është AME-ja dhe në qoftë se ata kërkojnë ndihmën e FSK-së. Që FSK-ja e ka ekipin e kërkim-shpëtimit më të avancuarin në regjion. Dhe me anë të kërkesës së tyre atëherë shqyrtohet kërkesa…”, ka thënë Rama në Dukagjin.