
SPAK-u mbylli hetimet, reagon Meta: Më njoftoi një gardian i burgut, mezi pres përballjen pas gjashtë vjetësh hetime
Kreu i së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK-u, ku ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare, por është njoftuar nga një gardian i burgut.
Meta thekson se nuk ka pasur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK-u deri sot në orën 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” i komunikoi verbalisht se në orën 09:50 e kërkonin te SPAK-u, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.
“U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja procedurale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur. Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme: ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO akte dhe vendime të paligjshme! ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit! ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! ZERO pasuri të paligjshme!”, shprehet Meta në Facebook.