Ish-sekretari i MINT-it në Prokurorinë Speciale, intervistimi shtyhet me kërkesë të avokatit
Foto: Laura Hasani

Ish-sekretari i MINT-it në Prokurorinë Speciale, intervistimi shtyhet me kërkesë të avokatit

Aktuale July 29, 2025 - 14:26

Ish-sekretari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Irfan Lipovica, të martën është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me rastin e rezervave shtetërore, ku është në cilësinë e të dyshuarit.

Avokati i Lipovicës, Feim Alaj, tha se intervistimi i të mbrojturit të tij është shtyrë për ditën e enjte, me kërkesë të vetë Alajt.

Ndryshe, për dallavere me rastin e blerjes së rezervave shtetërore dyshohen biznesmeni Ridvan Muharremi, dhe dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën më 19 gusht 2023 e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se malli i paguar dhe i porositur për rezerva shtetërore – 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë – nuk kishte ardhur në Kosovë. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.

Prokuroria Speciale kishte nisur të premten e 18 gushtit 2023 aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga Neni 414 të Kodit Penal, kurse Ridvan Muharremi për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga Neni 414, lidhur me Nenin 33 të Kodit Penal.

Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë se dy zyrtarët e MINT-it janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Në mbrëmjen e së premtes (18 gusht 2023) kur ishin arrestuar të dyshuarit, Kryeministri Albin Kurti pati publikuar një videomesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet “ish-kastën e kalbur politike”. Kishte thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore. /BetimipërDrejtësi