
Izmaku: Nëse LVV-ja i ka 58 vota, Nisma e gatshme të bisedojë për zgjidhjen e problemit
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se po të ishte Fatmir Limaj në krye të Kuvendit, sot Kosova do të kishte të konstituuar Kuvendin.
Izmaku ka thënë se është në pritje të Gjykatës Kushtetuese që t’i rikthejë deputetët në pikën ku mund të vazhdojnë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Sipas analizave tona me jurist që kemi brenda subjektit tonë politik, ne presim që Gjykata Kushtetuese të sjellë një aktvendim të ri i cili na sqaron ose e kompleton aktvendimin e fundit i cili e la në situatë të paqartë, nuk e kemi ditur asnjë nga deputetët se cilat janë masat penalizuese juridike të cilat vine në veprim në rast se ne nuk arrijmë që brenda këtyre ditëshit të kaluar të arrijmë një marrëveshje politike, meqenëse ne nuk patëm vullnetin politik përmes votës e kemi pasur të pamundur me votua sepse ne e kemi pasur një votim teknik realisht duke qitur në votim një komision i cili sipas nesh ka qenë jashtë rregullores të punës së Kuvendit. Në këtë drejtim ne presim që aktvendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese të na kthejë në pikën ku ne do të vazhdojmë të përcaktojmë me vullnetin tonë me votën tonë mundësin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe organeve për konstituimin e Kuvendit. Po të ishte Limaj në krye të Kuvendit edhe po të propozoi Kosova sot do të kishte të konstituuar Kuvendin”, ka deklaruar ajo në Tëvë1.
Tutje, ajo u shpreh se nëse partia fituese LVV-ja ka 58 vota, Nisma do të jetë e gatshme të bisedojë për mundësinë e zgjidhjes së problemit, derisa sipas saj, partia e saj nuk ka kushte.
“Absolutisht ne do të jemi në tavolinë të bisedimeve për zgjidhje të problemit pra ne do të jemi të fundit që do të largohemi nga tavolina e bisedimeve për me e bë një zgjidhje politike. Nëse partia e parë fituese arrin që t’i ketë në dispozicion 58 vota, Nisma do të ulet të bisedojë për mundësinë e zgjidhjes së problemit, kjo nënkupton që Nisma nuk ka kushte”, përfundoi Izmaku.