
Deputetja e LVV-së: S’kemi njerëz brenda Kushtetueses që ta dimë se çfarë vendimi do të dalë pas 8 gushtit
Pavarësisht mesazheve të Ambasadës së SHBA-së se deputetët në Kuvendin e Kosovës duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për konstituimin e Kuvendit dhe të mos presin nga Gjykata Kushtetuese zgjidhjen e problemeve politike, subjektet politike në Kosovë do të vazhdojnë të presin nga Kushtetuesja zgjidhjen e ngërçit politik.
Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu, tha për RTV21 se edhe nëse do të tentonte LVV-ja, të arrijë një marrëveshje të mundshme, atë do duhej ta bënte me subjektet politike të cilat kanë refuzuar në vazhdimësi.
“LVV-ja ka vepruar vazhdueshëm dhe në qoftë se do të vepronim tani do të kemi punë me të njëjtit njerëz që kemi provuar të dialogojmë, konsultohemi ose të arrijmë një marrëveshje politike për gjatë gjithë këtyre muajve sa kuvendi ka qenë i bllokuar. LVV-ja gjithmonë do të mendojë në drejtim të asaj se si do të mund të arrihet një zgjidhje, por në situatën cilën jemi nuk mund të krijojmë skenarë pa e pasur aktvendimin e kushtetueses sepse një vendim i tillë e qartëson mënyrën se si do të funksionojmë tutje. Sepse ne nuk e dimë se çfarë ndodhë me Kuvendin pas datës 8 gusht nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me mënyrën e konstituimit të Kuvendit, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me konsumimin e 30 ditëve, a do të ketë pasoja apo nuk do të ketë pra ka shumë? që shpresojmë se aktvendimi i kushtetueses do t’i qartësojë, ndryshe prej asaj që ka bërë në aktvendimin paraprak ku na janë dhënë 30 ditë por nuk është folur për pasojat se çka do të ndodhë me deputetet me Kuvendin në qoftë se nuk konstituohet kuvendi brenda 30 ditësh. D.m.th. nuk mund të ndërtojmë skenarë që mund të rrëzohen me 8 gusht kur aktvendimi i kushtetueses të dal. Sigurisht do të bëjmë përpjekje që deputet të caktuar që kanë shprehur vullnetit të bashkëpunojnë për konstituimin e Kuvendit që të njëjtit ta kuptojnë përgjegjësinë që e kanë dhe t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për veprim por nuk mund të veprohet pa e marr vendimin e kushtetueses sepse mund t’i rrëzojë të gjithë skenarët. Ndërsa, LVV-ja siç ka qenë do të vazhdojë të mbetet e gatshme që konstituimi të ndodhë, sepse po të ishte për LVV-në Kuvendi do të ishte konstituuar me 15 prill. Por, meqë LVV nuk i pati votat, dhe kemi pasur nevojë për vota të tjera kjo është shfrytëzuar nga opozita dhe të njëjtit e kanë mbajtur bllokadën në kuvend dhe e kanë penguar krijimin e qeverisë ‘Kurti 3”, tha Kryeziu.
Deputetja e LVV-së, Arbresha Kryeziu, duke komentuar zërat se LVV-së mund t’i merret e drejta e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit mbi bazën e abuzimit me këtë të drejtë. Ka deklaruar se Kushtetuesja nuk do të duhej të merrte një vendim, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Personalisht nuk jam juriste me profesion dhe nuk do të merrja përgjegjësi të jap komente se çfarë vendimi do të dal më 8 gusht. Personalisht nuk kam kontakte dhe lidhje me persona që punojnë në gjykatën Kushtetuese siç mund të kenë disa partitë opozitare dhe ti dijnë paraprakisht se çfarë po ndodh brenda kështu që nuk dua të aludojë. Vetëm e di që me kushtetutë të Republikës së Kosovës propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit i takon ekskluzivisht partie fituese dhe unë tash nuk mund të arrijë ta kuptoj se si gjykata kushtetuese të marr një vendim të tillë i cili bie ndesh me atë se çfarë thuhet në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të kishte me qenë ndodhte një precedent i rrezikshëm nëse do të bëhej një gjë e tillë dhe thyerje e rendit kushtetues…”, shtoi ajo.
Ndryshe, që nga dita e diel ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, që ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Ndërkohë, zërat për pasojat e mundshme juridike pas skadimit të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit sa vijnë e shtohen.