
KFOR: FSK-ja në Ujman me lejen e Barduanit
Misioni i KFOR-it në Kosovë ka njoftuar se sot komandanti i Misionit të KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për vendosjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit (SAR) në zonën e liqenit të Ujmanit.
Sipas një komunikate nga KFOR-i, autorizimi u dha në përputhje të plotë me prerogativat dhe autoritetet e komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një 33-vjeçar që raportohet të ketë rënë në liqen disa ditë më parë, transmeton Zeri.info.
“Kushtëzohet me kërkesa specifike dhe të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit. Përdorimi i ekipeve SAR të FSK-së bie nën mandatin e FSK-së, i cili përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikimin e KFOR-it. /Zëri