
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron protesta e bojkotim të mbulimit të ngjarjeve politike
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së edhe sot ka reaguar, duke paralajmëruar se televizioni publik është para kolapsit si pasojë e mungesës së buxhetit, i cili nuk është alokuar për gjashtëmujorin e dytë dhe si pasojë punëtorët rrezikojnë të mbesin pa paga.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), thotë se institucionet përkatëse kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total.
SPERTK-ja konfirmon se protesta do të fillojë më 6 gusht 2025.
“Kjo protestë do të jetë fillimi i një serie veprimesh sindikale për të mbrojtur punëtorët dhe ekzistencën e RTK-së si aset publik dhe shtetëror.
Në ditën e protestës do të bëhen publike pikat konkrete të planit të veprimit, të cilat Sindikata do t’i ndjekë me përkushtim në vazhdim.
SPERTK-ja gjithashtu paralajmëron se do të nisë bojkotimin e mbulimit të ngjarjeve politike, për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim.
Për të gjithë akterët institucionalë që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje, Sindikata do të ndërmarrë veprime ligjore për shkelje të ligjit dhe cenim të së drejtës për pagë dhe punë”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Në fund ata i kanë bërë thirrje AGK-së dhe BSPK-së, si dhe të gjitha organizatave sindikale dhe të shoqërisë civile, që të bashkohen me ne në këtë moment kritik, për të mbrojtur të drejtën e informimit dhe ekzistencën e vetme të mediumit publik në Kosovë.
“U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të jenë të bashkuar dhe të përkrahin protestën me pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme. Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të sigurojmë të ardhmen e transmetuesit tonë publik.
SPERTK – në mbrojtje të RTK-së dhe punëtorëve të saj”, thuhet në fund të reagimit. /Zëri