Elshani: Ne kërkuam që FSK-ja të vinte në Ujman për ndihmë, policia ndodhej aty kur mërgimtari kërceu në ujë
Foto: Laura Hasani

Elshani: Ne kërkuam që FSK-ja të vinte në Ujman për ndihmë, policia ndodhej aty kur mërgimtari kërceu në ujë

Aktuale July 29, 2025 - 10:53

Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet pas shumë vitesh në veriun e vendit, te liqeni i Ujmanit, ku kanë ardhur për ta ndihmuar misionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e trupit të mërgimtarit Rrahim Latifi i cili nuk arriti të dalë nga Ujmani, pasi u hodh aty të dielën në mesditë.

Në lidhje me të gjitha zhvillimet e sotme foli zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani tha se ishte kërkesë e Policisë së Kosovës që FSK-ja të vijë për asistencë.

“Procedura është e tillë që ne fillimisht vijmë në vend të ngjarjes, zakonisht ne qëllojmë të parët këtu pas qytetarëve dhe policët kanë qenë këtu në këtë parking kur ka ndodhë rasti. Ne i kemi kërku zhytësit që të vijnë, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, mandej nëpërmjet hierarkisë sonë komanduese, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ne kërkojmë asistencë për zhytës. Pastaj Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkon nga FSK-ja asistencën për zhytësa.”, tha Elshani për Mitropol.

“Kështu që ka qenë kërkesë e PK-së që me ardhë këta njerëz këtu. Këta siç po i shihni tash janë këtu”, tha mes të tjerash ai.

Elshani mes të tjerash tha se meqë FSK janë këtu bashkë me KFOR-in, nënkuptohet vetvetiu që kanë ardhur me lejen e tyre.

Zv.drejtori po ashtu konfirmoi që Policia ka barkat e tyre që ndodhen aty me pajisjet adekuate dhe ndodhen bashkë me zhytësit dhe tash edhe me FSK-në.

“Ne kemi kërku gjatë gjithë kohës, por s’ishim të suksesshëm për gjetjen e tij. Shpresojmë që të paktën tash bashkë me FSK-në të gjejmë trupin në mënyrë që familjarëve t’u largohet të paktën gjysma e dhimbjes”, u shpreh Elshani në prononcimin e tij.