Greta Thunberg në Prishtinë: Njerëzit në Kosovë shumë të dashur, të hapur dhe zemërgjerë

Greta Thunberg në Prishtinë: Njerëzit në Kosovë shumë të dashur, të hapur dhe zemërgjerë

Aktuale July 28, 2025 - 20:37

Aktivistja e njohur suedeze për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e ambientit, Greta Thunberg, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë, ku ndër të parat ndalesa ishte Reporting House në Prishtinë.

Gjatë vizitës së saj në këtë hapësirë kulturore e kujtese, Thunberg u takua me aktivistë nga organizata Termokiss dhe grupe të tjera rinore, duke kaluar më shumë se dy orë në muze për të kuptuar nga afër historinë e rezistencës qytetare dhe protestave në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta.

Thunberg u prit nga producentja Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut, Gaz Ejupi, të cilët së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi e njohën atë me veprat e artit modern që përballen me temat e aktivizmit dhe konfliktit. Ndër to, veçanërisht u theksua instalacioni “Shkollat Shtëpia” nga Jakupi, që pasqyron përvojat e arsimit gjatë okupimit serb në Kosovë.

 

Në vijim të vizitës, Thunberg shikoi edhe ekspozitën e artistit 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjawi, me titullin “Fragmente të mbijetesës”, që është e hapur në Galerinë e Reporting House.

E prekur nga temat që trajton ekspozita, ajo shfaqi interes për reagimet e politikës dhe shoqërisë në Kosovë për zhvillimet në Gaza.

E shoqëruar nga aktivistë të rinj kosovarë, Greta Thunberg u shpreh thellësisht e prekur nga mikpritja që i është bërë: “Njerëzit në Kosovë janë tmerrësisht të dashur, të hapur dhe zemërgjerë me mua.”

Jeta Xharra, tha se e ka ndjekur me vëmendje angazhimin e Gretës për kauzat ambientale.

“Ajo ka arritur të bëhet zëri i së ardhmes dhe në mënyrë shumë efektive ka tërhequr vëmendjen e botës për krizën klimatike,” u shpreh Xharra.

Ajo po ashtu e vlerësoi lartë përkushtimin e Thunberg për të ngritur zërin kundër padrejtësive, përfshirë edhe situatën në Gaza, duke e cilësuar një privilegj mundësinë për të ndarë me të historinë e padrejtësive që populli i Kosovës ka përjetuar gjatë viteve të ’90-ta.