
Mirëpritet dënimi për dhunim seksual gjatë luftës, bëhet thirrje për denoncim të rasteve të tjera
Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë dënoi me nga 15 vjet burgim të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq për dhunim seksual gjatë luftës në komunën e Prishtinës.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës mirëpriti vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Lidhur me këtë aktgjykim, menjëherë pas përfundimit të seancës. folën Fatmire Halili nga QKRMT-ja dhe burri i parë, i cili publikisht foli për dhunim seksual, Ramadan Nishori.
“Në shenjë të solidaritetit dhe mbështetjeje për të gjithë ata të mbijetuar, për gjithë ata zëra që janë të padëgjuar dhe me të vërtetë na bënë të lumtur që tani i kemi disa persona që kanë dalë publikisht dhe në njëfarë forme, sado e vështirë që është për ta të dalin të flasin publikisht, sot i kanë disa përfaqësues si Vasfija, Shyhretja dhe Dani. Të mbijetuarat që i fitojnë këto raste nuk kanë arritur të jenë të pranishëm dhe tani janë me pjesën tonë të stafit duke e pritur këtë aktgjykim që sigurisht që ka qenë i mirëseardhur.
Dy të akuzuarit, siç e patë u dënuan me nga 15 vjet burgim, por që fatkeqësisht aktgjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi për t’i arrestuar dhe për t’i sjellë para drejtësisë në mënyrë që të kërkohet llogari prej tyre dhe t’u shqiptohet dënimi drejtpërdrejt. Edhe pse janë vendime të vonshme, është një shenjë që jemi në rrugën e duhur. Ky është rasti i tretë që Qendra Kosovare për rehabilitim e ka raportuar dhe e ka përfaqësuar gjatë gjithë procesit gjyqësor”, u shpreh Fatmire Halili.
Për shkak të pamundësisë për t’i arrestuar, gjykimi ndaj tyre është mbajtur në mungesë. Ky dënim shihet si një hap i rëndësishëm në drejtim të ofrimit të drejtësisë për viktimat e kësaj forme të krimeve të luftës.
Ndërsa, burri i parë i cili publikisht foli për dhunim seksual, Ramadan Nishori, u shpreh se ky vendim i shkaktoi emocione dhe bëri thirrje për denoncim edhe të rasteve të tjera.
“Jemi shumë të gëzuar me vendimin. Unë siç e kam potencuar në shumë intervista të mia, prapë bëj thirrje që t’i lajmërojnë rastet, t’i denoncojnë në polici, sepse ndoshta mund të arrestohen këta kriminelë”, tha Nishori./EO