
Prokuroria Speciale mirëpret dënimin e Ivica Rajkoviqit dhe Dragan Deniqit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin dënues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Ivica Rajkoviqit dhe Dragan Deniqit për krime lufte kundër popullatës civile.
“Vendimi i sotëm shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Prokuroria Speciale fton të gjithë qytetarët, institucionet publike dhe viktimat e dhunës seksuale të vazhdojnë të denoncojnë këto raste në Prokurori dhe Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
PSRK-ja rithekson përkushtimin për të hetuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare.