
Kosova pa institucione, qytetarët në hall: Ne jemi bllokuar, kjo është fatkeqësi
Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 54-të të konstituohet, duke e kaluar afatin 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve deri më 8 gusht.
Qytetarët, me të cilët në kryeqytet bisedoi Ekonomia Online, reagojnë ashpër ndaj kësaj situate të krijuar.
Sipas qytetarëve, Kosova ndodhet në një krizë institucionale, pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri legjitime dhe me rrezik për humbje të mbështetjes ndërkombëtare.
Vesel Veseli e quan këtë dështim total.
“Është një fatkeqësi, një dështim total i institucioneve të Kosovës. Aktorët dihen. Edhe regjisori i këtyre debakëlve, i këtyre bllokadave institucionale. Duhet të japë llogari para ligjit, sepse populli nuk e ka votuar për të stagnuar dhe mos konstituuar Kuvendin. Jemi në kaos, nuk kemi kryetar Kuvendi, as qeveri legjitime të Kosovës, por vetëm në detyrë. Kjo po e dëmton shtetin tonë, sepse edhe BE-ja, edhe të tjerët kanë shfaqur gatishmëri të na japin ndihma ekonomike. Ata po hezitojnë, po thonë nuk keni institucionet e krijuara. Përgjegjësia është tek aktori kryesor, është rast tipik në botë që 54 seanca të dështojnë. Kjo do të thotë një dobësi. Nuk e kanë dhënë jetën dëshmorët tanë e as populli nuk i ka votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për të bërë debakle. Fajtor numër një është partia fituese, nuk e di si nuk iu vjen turp, dalin si të jenë në komedi. Del kryesuesi si Ali Baba me cubat e vet. Si e shet veten dhe bëhet shërbëtor i një regjisori që ka punuar për destabilizimin, kundër shtetësisë dhe ndërtimit të demokracisë në Kosovë”, tha Veseli.
Ndërsa, qytetari tjetër Reshat Saliu tha se vonesat po dëmtojnë qytetarët, ndihmat nga BE-ja dhe ekonominë e vendit.
“Kjo është shumë e dëmshme, po dëmton edhe qytetarët. Ne e kemi dhënë votën, tani ata duhet të merren vesh, sepse po humbin shumë. BE-ja ka ndarë mjete, nuk i ndajnë mjetet shkaku që ende nuk është bërë qeveria. Ne jemi bllokuar, mjete po na jep Evropa, ashtu është bërë jeta e rëndë. Nuk mund të akuzoj asnjërën parti, duhet të merren vesh, ata po çojnë inati, le të merren vesh sa më shpejt, sepse edhe të shkohet në zgjedhje është e dëmshme. Po presim deri më 8 gusht, e shohim se çka po bëhet, që jo shkojmë në zgjedhje”, tha Saliu.
Izet Zhuja kërkoi zgjidhje të shpejtë, nëse është e nevojshme edhe përmes zgjedhjeve të reja.
“Nuk është gjë normale për ne, nuk do të duhej të ishte gjë normale, sepse është një demokraci e re dhe duhet të japim shembuj të mirë. Por, për fat të keq jemi në dy grupe. Një ditë do të bëhet, do të detyrohet, nëse jo le të shkojnë në zgjedhje dhe besoj që do të faktohet se cila qeveri duhet marrë”, shtoi ai.