
Pas refuzimit nga PDK-ja, Lladrovci falënderon qytetarët dhe rikonfirmon kandidaturën për Drenas
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar sërish pasi Kryesia e PDK-së vendosi që ai të mos jetë më kandidat për kryetar të Drenasit.
Lladrovci ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, ndërsa sërish bëri të ditur se do të garojë për kryetar të Drenasit.
“Falënderoj qytetarët, miqtë, dashamirët dhe përkrahësit për mijëra mesazhe dhe telefonata përkrahëse, pas vendimit të Kryesisë së PDK-së, rreth kandidaturës sime. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe konsideratën për të gjithë, në pamundësi veç e veç t’ju përgjigjem ndaj mesazheve në të gjitha rrjetet sociale dhe telefonatat. Në veçanti shpreh keqardhje për mosmundësi t’i përgjigjem mediave, të cilat kanë ndjekur punën time ndër vite. E kam ditur se puna ime me përkushtim, sinqeriteti dhe vendosmëria për qeverisjen shembullore dhe me duar të pastra, pa iu nënshtruar keqbërësve e merr përkrahjen dhe simpatinë jo vetëm nga qytetarët e komunës së Drenasit por gjithandej trojeve shqiptare”, ka pohuar ai.
Tutje, ai shkroi “faleminderit, bashkë, vazhdojmë, +4”, shkroi Lladrovci në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
PDK-ja ka zyrtarizuar tashmë të gjithë kandidaturat për kryetarë të komunave.