
Dëmtohen shtigjet e ecjes të Kalasë së Prizrenit
Megjithëse frekuentohet nga mijëra turistë vendorë e të huaj, Kalaja e Prizrenit nuk e ka mirëmbajtjen e duhur si objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore. Shtigjet e ecjes dhe tabelat orientuese pothuajse janë jashtë funksionit.
Qyteti i Prizrenit tashmë është kthyer në një nga qendrat kryesore të vizitorëve vendorë e ndërkombëtarë. Ata që vijnë nga larg dëshirojnë të vizitojnë edhe kalanë, edhe pse temperaturat janë tepër të larta. Ndërsa e pëlqejnë shumë vendin dhe resurset që ofron Prizreni, thonë se ende ka shumë punë për t’u bërë.
Shtigjet e ecjes prej druri tashmë janë amortizuar dhe shpesh paraqesin një pamje jo të mirë për vizitorët.
"Ne erdhëm deri këtu dhe, duke e parë gjithë këtë bukuri, në shikim të parë duket bukur, por nëse shikon më në brendësi të kalasë, ndoshta duhet të bëhen disa përmirësime dhe sinjalizime më të mira, si dhe ndoshta të ristrukturohen disa pjesë", tha Chak Owen turist nga Skocia.
"Ne dimë që kjo kala është rreth 500 vjet e vjetër dhe ndoshta ka nevojë për një mbrojtje më të madhe, sepse këtu mjafton vetëm të ecësh. Nuk e di nëse ka ndonjë festë këtu, por mbrëmjet janë të mahnitshme, dhe kultura e kafesë është shumë e mirë. Pavarësisht temperaturave të larta, sapo u ngjitëm këtu nga qendra e qytetit dhe ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Dukest se gjithçka është rregulluar dhe e dedikuar për turizmin”, tha Iva Kraus,turiste nga Skoci.
I kontaktuar nga RTK, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lama, tha se për objektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore duhet të ofrohet një projekt nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve për intervenim.
Ndërkaq, menaxheri i projektit të kalasë, Shafi Gashi, tha se plani i menaxhimit i hartuar në vitin 2019 ende nuk është funksionalizuar.
"Tani jemi në mes të vitit 2025, kanë kaluar gjashtë vite të plota dhe ende jemi në pritje të këtij plani, që për mua është absurd. Më mirë të fillohet me një staf të vogël, me një plan dhe program më të thjeshtë, dhe gjatë rrugës të përmirësohet ai plan, të rritet kuadri i resurseve humane, sesa të lihet kalaja në këtë gjendje", tha Shafi Gashi, arkeolog.
Përveç shtigjeve të ecjes, në hapësirat e kalasë së qytetit janë dëmtuar shumë edhe tabelat orientuese dhe shpjeguese të elementeve historike që e përbëjnë këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Gashi shpreson se me funksionalizimin e planit për resurset humane, Kalasë së Prizrenit do t’i kthehet kujdesi i duhur./rtk