
Elezaj: Situatë alarmante nga zjarret në Klinë, po digjen edhe shtëpitë
Disa fshatra të Komunës së Klinës po përballen me zjarre.
Sipas kryetarit të kësaj komune, Zenun Elezaj situata është alarmante ku zjarret kanë shkaktuar dëme edhe në prona private.
Sipas fotografive të publikuara nga ai shihet se zjarri ka kapluar edhe shtëpi e objekte tjera.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes.
“Gjendjen po e përcjellim nga afër dhe jam thellësisht i shqetësuar për këtë situatë alarmante që po rrezikon sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha për jetën dhe pronën e secilit prej nesh. Prandaj, apeloj fuqishëm te të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura. Shpreh falënderimin tim të sinqertë për Njësinë e Zjarrfikësve të Klinës, për angazhimin maksimal dhe reagimin e shpejtë, si dhe për të gjithë qytetarët që po ndihmojnë në terren me përkushtim e solidaritet”, ka shkruar Elezaj.