
Hajdari pasi u nominua kryetar: I ftoj të gjithë për unifikim, Drenasin e kemi të shenjtë
Petrit Hajdari është nominuar kandidat për kryetar të Drenasit nga Partia Demokratike të Kosovës.
Hajdari ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi për këtë mundësi, raporton Zeri.info.
Ai ka bërë thirrje për unifikim në Drenas, duke u shprehur se kështu i takon PDK-së.
“I falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që i kanë besuar vazhdimisht Partisë Demokratike të Kosovës e gjithashtu për besimin e thellë dhe emocionues që kam marrë unë gjithë këto ditë.
Drenasi është adresa jonë e përbashkët dhe e vetmja. Gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë gra dhe burra që i përgjigjen thirrjeve për ta bërë vendin tonë më të jetueshëm. Drenasi i është përgjigjur thirrjeve për revoltë, thirrjes së UÇK-së për luftë, thirrjes së PDK-së për shtetndërtim e do t'i përgjigjet edhe thirrjes së sotme për përbashkim. Përbashkim rreth vlerave të PDK-së sonë, asaj që është porosi e shenjtë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, shkroi ai në Facebook.
Hajdari u shpreh optimist se PDK-ja do të fitojë në Drenas dhe se do të punohet maksimalisht për këtë. /Zëri