Deputeti gjerman thotë Kosova duhet të ketë një qeveri stabile për të hyrë në BE
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Deputeti gjerman thotë Kosova duhet të ketë një qeveri stabile për të hyrë në BE

Aktuale July 27, 2025 - 19:05

 

Deputeti Johaness Volkmann, nipi i ish-kancelarit gjerman, Helmut Kohl, foli rreth progresit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai thotë se nëse shihet raporti i Komisionit Evropian për Kosovën në fushat e antikorrupsionit, krimit të organizuar dhe formimin e një qeverie stabile, atëherë, sipas tij, vendi ynë ka disa gjëra që duhet t’i zbatojë.

“Në fjalimin tim parlamentar kam përmendur Samitin e Selanikut, të vitit 2003, ku shefat e shteteve të BE-së, premtuan popujve të Ballkanit Perëndimor se ka një perspektivë kredibile evropiane, atëbotë unë isha në shkollë fillore, pra ka një pritje të madhe dhe është pritje fort e gjatë, pra ka nevojë për një perspektivë kredibile, por duhet të thuhet se ka edhe një përgjegjësi nga ana vetanake për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit. Nëse e shihni progresin në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, në fushat e antikorrupsionit, në krimin e organizuar dhe formimin e një qeverie stabile, ka disa gjëra që Kosova duhet ti zbatojë”.

“Pra është në dorën e të dyja palëve. Në njërën anë atë evropiane e gjermane, që ne të kemi kurajën të jemi më të shpejt në integrim, dhe nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor , që të zbatojnë përnjëmend reformat e kërkuara në mënyrë që ti bashkohen BE-së”, tha Volkmann në Klan Kosova.