BE-ja dërgon avion zjarrfikës nga Italia për shuarjen e flakëve në Shqipëri

BE-ja dërgon avion zjarrfikës nga Italia për shuarjen e flakëve në Shqipëri

Aktuale July 27, 2025 - 16:51

Bashkimi Evropian ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e situatës me zjarret në jug të vendit. Një avion zjarrfikës i llojit Canadair, i ardhur nga Italia, do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Lukovës.

Siç raporton Euronews Albania, mjeti ajror është i specializuar për ndërhyrje në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke ofruar një mbështetje të rëndësishme për kapacitetet e Shqipërisë.

Aktualisht, Shqipëria disponon vetëm helikopterë të modifikuar për përballimin e zjarreve, por jo avionë të specializuar për misione të tilla.

Prania e avionit Canadair pritet të përmirësojë ndjeshëm reagimin ndaj flakëve që kanë përfshirë disa zona në jug të vendit.

Ndërkohë, këtë të diel, helikopterët e Forcës Ajrore janë angazhuar edhe në operacione pranë fshatit Zhulat, në qarkun e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafë Buallit, pranë Bulqizës, ku situata vijon të mbetet problematike për shkak të terrenit të thyer dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.