14 vjet pas ende nuk është identifikuar autori i vrasjes së Enver Zymerit
Foto: Laura Hasani

14 vjet pas ende nuk është identifikuar autori i vrasjes së Enver Zymerit

Aktuale July 26, 2025 - 21:04

14 vjet me parë, Enver Zymeri ra në një operacion për rikthimin e ligjshmërisë në veri. Pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u vra më 26 korrik, por autori i kësaj vrasjeje nuk është gjetur kurrë me gjithë hetimet dhe një procesi gjyqësor, ende askush nuk u shpall fajtor për vrasjen e heroit të Kosovës.

Kur kanë kaluar më shumë se një dekadë, ende nuk dihet kush e vrau policin elitë të Policisë së Kosovës, Enver Zymerin, më 26 korrik të vitit 2011. Mëngjesin e 14 viteve më parë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nisi një aksion për t’i futur në kontroll të shtetit pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Më 26 korrik 2011 më shumë se 50 policë të Njësisë Speciale Operative të cilët po qëndronin në bazën e tyre në Shipol të Mitrovicës kishin marrë urdhër për të shkuar në drejtim të portës 31 me qëllim të marrjes së kontrollit të pikës kufitare.

Gjatë rrugës në zonën ndërmjet fshatrave Varagë dhe Zupç Policia e Kosovës kishte hasur në barrikada.

Pasi serbët që qëndronin në këto barrikada nuk u ishin bindur urdhrave të Policisë për ta liruar rrugën, disa prej tyre që qëndronin afër barrikadës u larguan dhe u futën malit në anën e majtë, ku u dëgjua e shtëna e parë. Një plumb kishte qëlluar në kokë oficerin Enver Zymeri, i cili po e voziste makinën e dytë të kolonës së Policisë së Kosovës.

Detajet e incidentit që shkaktoi vdekjen e policit Enver Zymberit ishin zbuluar në aktakuzën e ngritur disa vjet më parë nga një prokuror i EULEX-it dhe një vendës kundër Radovan Radiq i njohur me nofkën Krelac nga Zupçi dhe Milovan Vlaskoviq nga Zubin Potoku i njohur me nofkën Dragustin.

Dy prej tyre ishin arrestuar dhe gjykuar por në mungesë provash ishin shpallur të pafajshëm, raporton RTKlive.

Por pikat kufitare, tashmë janë nën kontrollin e autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare pas marrëveshjeve në Bruksel.

Më 27 korrik të vitit 2011, presidentja Jahjaga kishte dekoruar policin e vrarë në detyrë me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

E në përvjetorin e tij të 12-të, Kampi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, mori emrin e heroit, Enver Zymeri.

Një vit më vonë, një pllakë përkujtimore për heroin u vendos në vendin e rënies, në Varage të Zubin Potokut.

Nga aty, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot deklaroi se Kosova është krenare me këtë polici përderisa shtoi se jemi të pikëlluar e me dhembje, për ata më të mirët, të cilët dhanë jetën.

"14 vjet pas vrasjes së Enver Zymerit dhe gati dy vjet pas vrasjes së Afrim Bunjakut, këtyre dy heronjve të Kosovës në veriun e Kosovës, të gjithë kriminelët që dikur sundonin dhe përfitonin, ose kanë ikur në Serbi ose janë në burg në Kosovë", tha Kurti.

Drejt këtij vendi në mëngjesin e sotëm, policia kishte organizua një ecje në nderim të policëve të rënë në detyrë.

Në nderim të policëve të rënë, dhjetëra motoristë kanë marshuar nga Peja në pjesën veriore të Kosovës, ku janë mbajtur aktivitete përkujtimore dhe simbolike. /rtk