
Reagon OVL e UÇK-së: Ish-roja e burgut bëhet prokuror kundër krerëve të UÇK-së – skandali që trondit drejtësinë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar me indinjatë të thellë ndaj një informacioni të publikuar në media, sipas të cilit një ish-roje burgu në Hagë, që kishte mbikëqyrur Hashim Thaçin gjatë paraburgimit të tij, është rekrutuar si prokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe po merr pjesë në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas OVL-së, ky zhvillim “skandaloz” e vë në pikëpyetje të madhe integritetin e Dhomave të Specializuara dhe hedh hije të rënda mbi paanshmërinë dhe ligjshmërinë e gjithë procesit.
“Si është e mundur që një individ me histori direkte të kontaktit dhe mbikëqyrjes së të akuzuarve, të avancojë befas në pozitën e një prokurori?”, pyet OVL e UÇK-së, duke e cilësuar këtë si farsë të ndërtuar mbi urrejtje dhe urdhra politikë.
Sipas reagimit, ky akt “zhvesh përfundimisht” procesin nga çdo formë paanshmërie dhe e konfirmon, sipas tyre, se bëhet fjalë për një ndjekje politike të organizuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizata u bën thirrje opinionit publik, shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare që të mos qëndrojnë në heshtje përballë asaj që e quajnë “rrezik serioz për themelet e drejtësisë ndërkombëtare”.
“Kjo nuk është më drejtësi. Kjo është një padrejtësi e montuar, që po përpiqet të rishkruajë historinë tonë të lavdishme të çlirimit,” përfundon reagimi i OVL-së.