
Haradinaj: Kurti po e përdor Haxhiun për ta zvarritur bllokadën në Kuvend
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po e shfrytëzon kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit vetëm për të vazhduar situatën e bllokuar institucionale.
Sipas Haradinajt, mungesa e vullnetit për një zgjidhje të vërtetë është më se e dukshme, dhe propozimi i Haxhiut shihet më shumë si një lëvizje taktike sesa një përpjekje serioze për zgjidhje.
“Nuk e pati në plan me dalë, por insistoi shefja. Megjithatë, po shihet qartë që nuk ka vullnet për të bërë një zgjidhje për kryetarin e Kuvendit,” ka thënë Haradinaj në foltoren e Kuvendit.
Ai shtoi se çdo deputet me përvojë minimale mund të kontribuojë në tejkalimin e këtij ngërçi, por qasja aktuale e VV-së po e pengon një zgjidhje konsensuale.
Ai u shpreh skeptik edhe për vazhdimin e seancës në orën 22:00, duke thënë se gjasat për ndonjë përparim janë minimale, pasi mazhoranca nuk i ka numrat e nevojshëm.
“Edhe si deputet, e dëgjova Memlin kur tha për të shtatën herë. Mendoj që secili deputet këtu, me përvojën minimale që e ka, mund t’i japë zgjidhje dhe të bashkojmë forcat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.”
“Shihet qartë që z. Kurti po e shfrytëzon edhe emrin e Albulena Haxhiut, jo pse ndoshta insiston që ajo është zgjidhja, por sepse mendon që ka për qëllim ta çojë këtë situatë deri në pamundësi e ndoshta edhe në pafundësi.”
“Mendoj që edhe kjo e sontme, në orën 22:00, nuk do të sjellë ndonjë zgjidhje tjetër. Shihet qartë që nuk i ka numrat.”