
Mërgimtari nga Ferizaj ankohet se ka mbetur për pesë ditë pa furnizim me ujë
Një mërgimtar ka bërë të ditur se derisa është duke qëndruar për pushime në vendlindje po përballet me mungesën e ujit të pijshëm.
Për klankosova, ai ka pohuar se në “Lagjen e Re” në Ferizaj ku ai jeton, për pesë ditë me radhë tashmë nuk kanë ujë.
I njëjti është shprehur se situata në fjalë po u krijon vështirësi të mëdha në kryerjen e nevojave bazë për higjienë personale.
Kosovari që jeton larg atdheut theksoi se ka bërë ankim pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje apo ndërhyrje për zgjidhjen e këtij problemi.
“Kam bërë ankim, por nuk po marr asnjë ndihmë”, u shpreh ai.
Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë me “KRU Bifurkacioni ShA” në numrin që e kanë të disponueshëm në profilin e tyre në rrjetin social Facebook, por nuk kanë qenë të qasshëm.