
MPJD-ja konfirmon masën e paraburgimit për shtetasin Lulzim Halili nga Gjykata e Lartë e Beogradit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se Gjykata e Lartë e Beogradit, përkatësisht Departamenti për Krime të Luftës, më 24 korrik 2025, i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, i arrestuar nga autoritetet serbe më 22 korrik 2025.
MPJD thotë se sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, Halili ngarkohet me akuza për “organizimin dhe nxitjen e kryerjes së krimeve të luftës dhe gjenocidit”, të përcaktuara në Nenin 145, paragrafi 2, në lidhje me Nenin 1 të Kodit Penal të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.
“Duke qenë se tashmë është konfirmuar se ndaj Halili është iniciuar procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë menjëherë kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, për ta vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të kësaj gjykate, ku po mbahet aktualisht”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin dhe do të mbajë të informuar opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Ndryshe, viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.
Arrestimi i fundit vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë u arrestua Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.