
Lumir Abdixhiku zyrtarizon rikandidimin e Përparim Ramës: Kthehemi me vepra, me vizion e me duar të pastra
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot në ambientet e amfiteatrit të “Gërmisë” është mbajtur ceremonia e rikandidimit të Përparim Ramës për të parin e Prishtinës.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se atmosfera në “Gërmi” ishte e jashtëzakonshme, duke theksuar se pas katër vite qeverisje në Prishtinë, Rama dhe LDK-ja sot u kthyen me vepra, me projekte, me vizion, me zemër të hapur dhe me duar të pastra.
Postimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:
PRISHTINA QË DUAM
Një mbrëmje e paharruar në zemër të Gërmisë – me energjinë, entuziazmin dhe dashurinë që vetëm Prishtina di ta japë!
Sonte, në një atmosferë të jashtëzakonshme, bashkë me Përparimin – mikun, urbanistin dhe kryetarin tonë të punës – shënuam nisjen e një rrugëtimi të ri për Prishtinën. Shënuam ceremoninë e rikandidimit.
Katër vite më parë e nisëm si të panjohur, sot kthehemi me vepra, me projekte, me vizion, me zemër të hapur dhe me duar të pastra.
Gërmia u mbush me qytetarë të çdo moshe, që dëshmuan se ndryshimi nuk është më shpresë – është realitet. Është përparimi që e shohim në projekte të mëdha infrastrukturore që nuk bllokohen dot; në shkolla me mësim tërëditor për fëmijët e Prishtinës - tani model për secilin qytet tjetër dhe në rajon; në planifikim urban me sheshe e shëtitore që i japin shpirtë dhe identitet Prishtinës: në transformim të sigurisë dhe shërbimeve.
Faleminderit të gjithëve që ishit me ne – për përkrahjen, për besimin, për Prishtinën!
Le të fitojmë!