
“Nga Rusia e Kina”, Thaçi flet për themelimin e Gjykatës Speciale
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar nga Haga se themelimi i Gjykatës Speciale nga vetë institucionet e Kosovës ka qenë një zgjedhje e vështirë, por e domosdoshme, për të shmangur ndikimin e dëmshëm të aktorëve ndërkombëtarë si Rusia dhe Kina.
Në një intervistë në Rubikon të KlanKosova, Thaçi tha se Kosova përballej me dy rrugë: ose të themelonte vetë këtë gjykatë në koordinim me SHBA-në dhe BE-në, ose t’i imponohej një gjykatë ndërkombëtare nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që do të përkrahej nga Rusia dhe Kina.
“Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme”, tha ai.
Ai theksoi se nëse do të veprohej ndryshe, do të akuzohej se po i hapej rrugë kthimit prapa për Kosovën.
“Do të përballeshim me situatën: ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Por me asnjë çmim nuk do të duhej të tolerohej që një vendim i tillë të sfidohej nga Parlamenti i Kosovës dhe të vulosej nga Këshilli i Sigurimit, një institucion që sot është në disfavor të Kosovës”, u shpreh Thaçi.
Ish-presidenti kujtoi se që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova ka kërkuar largimin e UNMIK-ut dhe përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, duke i hapur rrugë forcimit të institucioneve të brendshme dhe legjislacionit vendor.
“Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë, u vendos që të punohet me legjislacionin kosovar, jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet”, përfundoi Thaçi.