Cakolli: LVV-ja nuk është e gatshme të hyjë në qeveri me shumicë të brishtë
Foto: Laura Hasani

Cakolli: LVV-ja nuk është e gatshme të hyjë në qeveri me shumicë të brishtë

Aktuale July 24, 2025 - 21:28

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se e premtja përbën afatin e fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor. Sipas tij, vetëm nëse kryesuesi Avni Dehari e shfrytëzon të drejtën për të thirrur një seancë të re të shtunën, ekziston mundësia që afati të zgjatet edhe për dy ditë.

“Rregullorja nuk e ndalon thirrjen e një seance brenda 48 orëve. Prandaj, në rast se dështon seanca e nesërme, ekziston mundësia që Dehari ta thërrasë një tjetër të shtunën,” deklaroi Cakolli në RTK.

Ai vlerësoi se situata politike nuk po jep sinjale për një zgjidhje brenda afatit kushtetues, duke vënë në dyshim deklaratat optimiste nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate.

“Votat e Nismës nuk mjaftojnë për të kaluar pragun prej 61 deputetësh. Ndërkohë, Vetëvendosje nuk është e gatshme të hyjë në qeveri me një shumicë të brishtë që mund të rrëzohet me largimin e vetëm një partneri të koalicionit,” u shpreh ai.

Sipas Cakollit, insistimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për përfshirjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në koalicion, lidhet pikërisht me nevojën për një qeveri më të qëndrueshme dhe jetëgjatë.

Në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Cakolli tha se kandidatura e Albulena Haxhiut tashmë shihet si jorealiste, ndërsa ajo e Fatmir Limajt mund të sigurojë disa vota shtesë nga deputetë jashtë grupit, por njëkohësisht mund të mos marrë mbështetjen e plotë të Vetëvendosjes.

“Ka rrezik që kjo kandidaturë të mos marrë as 48 votat e Vetëvendosjes,” paralajmëroi ai.

Në rast të moskonstituimit të Kuvendit, Cakolli tha se nuk është e nevojshme që presidentja Vjosa Osmani ta shpërndajë Kuvendin, pasi ky institucion nuk ekziston juridikisht.

“Në këtë situatë, presidentja mund të mjaftohet me caktimin e datës së re për zgjedhjet e jashtëzakonshme,” sqaroi ai.

Sidoqoftë, Cakolli vuri në dukje se deklaratat publike të presidentes nuk tregojnë një drejtim të qartë për veprimet e mëtejme. “Besoj se kjo është një mënyrë për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në procedurë. Ka gjasa që ajo të presë një vendim interpretues nga Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit,” tha ai.