
Rrezikohet mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi
Mbrojtja në Hagë e ish-presidentit Hashim Thaçit, sipas Fondacionit për Mbrojtjen Juridike, rrezikon të largohet. Avokati kryesor i Thaçit po pret që t`i kryhet pagesa prej mbi 2 milionë eurosh. Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë kanë publikuar një sërë pagesash që kapin shifrën e rreth 33 milionë eurove të paguara deri më tash. Por me këtë nuk po pajtohet fondacioni, pasi sipas tyre, udhëzimi administrativ është ndërruar nga Ministria e Drejtësisë.
Tash e disa herë, fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për financimin e mbrojtjes së ish-presidentit HashimThaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kërkesën e fundit ky fondacion e nisi në adresë të Ministrisë së Drejtësisë në qershor, për të cilën ende nuk ka marrë përgjigje.
Në kërkesën e fondacionit të cilën e ka siguruar RTK-ja, thuhet se ekipi mbrojtës i Thaçit është duke u përballur me sfida të mëdha financiare, të cilat seriozisht po e rrezikojnë funksionin e mbrojtjes në procesin që po zhvillohet në Hagë.
Sipas fondacionit, kjo kërkesë për mbështetje financiare shtesë është e karakterit urgjent, pasi me largimin eventual të avokatit kryesor, mund të shtyhet ose pezullohet vetë procesi gjyqësor për kohë të pacaktuar.
“Siç edhe ju kemi njoftuar në kërkesën paraprake (të vitit 2024) vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike e bërë përmes UA për plotësimin dhe ndryshimin e UA për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë DhSK, ekipin mbrojtës të ish presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij sepse në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë por aktualisht edhe avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme. Fjala është për avokatin mbrojtës të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Luka Misetiq, i cili krahas punës së madhe në mbrojtje, është tërësisht legjitime që të sigurojë realizimin e pagesës së rregullt siç I takon në bazë të kontratës ligjore në fuqi”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë, fondacioni ka dhënë detaje për shumën e kërkuar.
“Në bazë të kontratës mes presidentit Thaçi dhe ekipit të tij mbrojtës, respektivisht avokatit kryesor z. Luka Misetic, shuma financiare e kërkuar është 2,180,000,00euro. Po ashtu në bazë të kontratës mes të presidentit Thaçi dhe avokates Nina Tavakoli, shuma e kërkuar drejtuar Qeverisë për përmbushjen e këtij detyrimi është 480,000,00euro?”.
Por, për arsye financiare, nga mbrojtja e Thaçit, në janar të 2024-tës ishte tërhequr edhe avokati Gregory Kehoe së bashku me ekipin e tij.
Për kërkesat dhe shqetësimet e fondacionit, nga Ministria e Drejtësisë kanë lëshuar një komunikatë për media në të cilën kanë treguar se sa para kanë shpenzuar deri më tani për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.
“Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77? (tridhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent). Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 ? (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent). Por, në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2020 për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në Hagë, në nenin 11, pikat 2 dhe 3 thuhej se në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në vendim, Njësia i propozon Komisionit shqyrtimin e saj. Pastaj, Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”.
Por, ky udhëzim administrativ u ndryshua në vitin 2024, ku thuhej se neni 11, paragrafi 2 dhe 3 i Udhëzimit Administrativ bazik fshihen.
RTK ka provuar të marrë qëndrime edhe nga fondacioni, mirëpo kanë thënë se janë në pritje të përgjigjes dhe se nuk duan të ndikojnë në proces. Ndërkohë, televizioni ka dërguar pyetje edhe në adresë të avokatit Misetiq, por gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje.
Sigurim të mjeteve financiare për krerët e UÇK-së në Hagë ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë edhe Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së. Sipas saj, mosreagimi i institucioneve në këtë drejtim do të përbënte një neglizhencë serioze me pasoja të rënda, duke dëmtuar jo vetëm individët konkretë, por edhe dinjitetin e luftës sonë për liri.