Hasani: Kërkesa e presidentes është e pabazuar, vendimi i Kushtetueses pritet mbi kërkesat e deputetëve
Foto: Laura Hasani

Hasani: Kërkesa e presidentes është e pabazuar, vendimi i Kushtetueses pritet mbi kërkesat e deputetëve

Aktuale July 24, 2025 - 19:09

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim mbi këtë çështje në bazë të kërkesave të paraqitura nga deputetët e dy partive politike dhe jo mbi kërkesën e presidentes.

“Çështja lëviz vetëm atëherë kur të ketë një qartësi nga Gjykata Kushtetuese sa i përket pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit, dhe të drejtës së partisë së parë për të propozuar”.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit nuk e bën automatikisht atë jokushtetues. Vetëm Gjykata Kushtetuese, tha ai, ka të drejtë të përcaktojë kushtetutshmërinë e një procesi të tillë.

Presidentja Osmani iu drejtua më 22 korrik Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë për sqarim se cilat do të jenë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik – afat i përcaktuar më herët nga vetë Kushtetuesja. Ajo ka kërkuar, gjithashtu, vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të premten do të mblidhen për herë të 52-të për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.